Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me armatimin që u gjet dje në veri.
Armatimi ishte fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Policia Përmes raportit 24 orësh ka bërë me dije se një pjesë e armatimit është gjetur në një pusetë kanalizimi, mbrapa një ndërtese në rrugën “Kollashini”.
“ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Kollashini, Mitrovicë Veri 14.06.2024-15:00. Nga njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”.
Pjesa tjetër është gjetur në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Çeta e Minatorëve”.
“Rr. Çeta e Minatorëve, Mitrovicë Veri 14.06.2024-16:30. Është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.