Këshilli i Prindërve në Kosovë ka kërkuar nga qeveria që të marrë vendim për vaksinimin e fëmijëve adoleshentë, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla nga shtatori.
Një kërkesë e tillë, ka ardhur pasi ditëve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me coronavirus, sidomos tek fëmijët.
Autoritet shëndetësore të enjten kanë regjistruar 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 personave. Kurse në tre ditët e fundit (10,11 dhe 12 gusht), në Kosovë janë infektuar mbi 300 persona të moshës nga 10 deri 19 vjeç.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.
Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet Kosova, është edhe refuzimi i një përqindjeje të madhe të mësuesve për t’u vaksinuar. Deri më tash, Kosova nuk e ka bërë të detyruar vaksinimin e personelit arsimor, kurse deri me 6 gusht, është raportuar se janë vaksinuar 50% e mësimdhënësve.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masa të reja për luftim të pandemisë.
Në mesin e masave, është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.
Reshitaj: Vaksinimi, kusht për kthim në shkolla
Ymret Reshitaj, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se vaksinimi i fëmijëve, sidomos i mësimdhënësve, është kusht për kthimin e tyre në objektet shkollore dhe me orar normal të procesit mësimor.
“Nga institucionet e Kosovës, kërkojmë që të furnizohen me vaksina edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe të fillojë procesi i vaksinimit të tyre. Prindërit, vazhdimisht kanë qenë në mbrojtje të interesit të fëmijëve, në mënyrë absolute, prandaj ne presim veprime konkrete të Qeverisë se Kosovës”, tha Reshitaj.
Vitin e kaluar shkollor, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, kanë mbajtur mësim në dy grupe, për jo më shume se dy orë, kurse klasat tjera mësimin e kanë zhvilluar në mënyrë të kombinuar: online dhe me prezencë në shkollë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërije Nagavci, ka thënë se ”Ministria është duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor, të nisë me prezencë fizike në shkolla”. Sipas saj, studimet kanë treguar se mësimi online dhe ai i kombinuar, nuk kanë treguar rezultatet e duhura.



