Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për GazetaBlic, ka njoftuar mbi motin që do të mbajë gjatë javës së fundit të shkurtit në Kosovë.
Ai ka thënë se pas intervaleve me diell sot e nesër, pasnesër priten temperatura më të ulëta e reshje shiu e bore në rrafshin e Dukagjinit, kurse borë vetëm në viset malore. “Do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me interval të gjata me diell ditën e sotme dhe nesër. Kurse pasnesër do të kemi rënie në vlerat barike, do të thotë, shtypja atmosferike do të bie nën vlerat e normales, kështu që gjatë natës priten reshje shiu të cilat do të përcillen edhe me borë. Reshje shiu dhe bore do të ketë kryesisht në rrafshin e Dukagjinit kurse vetëm borë do të bie në viset kodrinore-malore. Reshjet do të jenë më intenzive në veri të Dukagjinit kurse rrafshi i Kosovës do të ketë më pak reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri në +3, kurse maksimalet nga 4 deri në 15 gradë celcius”.
Nga dita e enjte do të ketë edhe erë, e cila më e përqëndruar do të jetë në Istog, ka thënë Aliu. “Dita e enjtë parashihet të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave, pastaj sërish do të kemi ngritje në fushat termike. Të enjtën do të ketë erë nga drejtimi i veri-perëndimit me shpejtësi deri në 20m në sekondë. Era më e përqëndrueshme do të jetë në Istog dhe në periferi, kurse vendet tjera shpejtësinë e erës do ta kenë 12m për sekondë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ai ka sqaruar se reshje bore të pastra nuk do të ketë në viset e tjera të Kosovës përveç atyre malore. “Reshje bore të pastra do bijnë vetëm në vise malore, kurse në vise të ulëta reshje shiu dhe bore. Kur bien temepraturat 1 apo 0 gradë, reshjet e shiut kalojnë në reshje bore por ato do të jenë të shkurta, nuk do ketë sasi të madhe të borës që do e vështirësonte komunikacionin”.