spot_img
spot_img

NATO pas aktgjykimit të Speciales ndaj katërshes së UÇK’së: Ne e pranojmë aktgjykimin

Aleanca Veriatlantike ka reaguar pas vendimit të shpallur dje në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, NATO ka bërë të ditur se e pranon vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se respekton proceset dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë.

“Ne e pranojmë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe marrim parasysh se vendimi i gjykatës është subjekt i ankesës”, thotë një zyrtar i NATO-së për Klankosova.tv.

Ky zyrtar theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.

“Përkushtimi ynë për të garantuar stabilitetin është i palëkundur. Këtë e dëshmojnë aktivitetet tona të vazhdueshme, veçanërisht misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR-i”, deklaroi ai.

NATO ka theksuar gjithashtu se KFOR-i mbetet i gatshëm për të përmbushur mandatin e tij në Kosovë, duke u fokusuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

“KFOR-i është i mirëpozicionuar dhe mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara – i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e vet si reagues në fushën e sigurisë”, thuhet në përgjigje.

TË FUNDIT

TË FUNDIT