12.8 C
Mitrovice
E shtunë, 25 Tetor, 2025
spot_img

Naim Terrnava viktimë e fajdes? Nipi i tij, hoxhë, së bashku me dy të tjerë fusin në kurth një qytetar dhe me dallavere ia marrin pasurinë

Në Kosovë po hetohet një prej rasteve më të rënda të fajdes, një praktikë e paligjshme e huadhënies me kamata të larta. Në qendër të këtij rasti ndodhen tre persona. Një hoxhë, një biznesmen dhe një shofer transporti, të cilët sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dyshohen se kanë krijuar një skemë të organizuar fajdeje, duke përfituar nga një qytetar që kishte kërkuar ndihmë financiare.

Në mesin e të akuzuarve është Pajazit Tërnava, ish-kryetar i Bashkësisë Islame në Fushë Kosovë.

Në dosje përmendet edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, si dëshmitar në procedurë, i cili pretendon se edhe vetë është dëmtuar financiarisht nga kjo çështje.

Ngjarja, sipas aktakuzës, fillon në fund të vitit 2022.

Një afarist nga Prishtina, që ndodhej në vështirësi financiare, kishte kërkuar ndihmë nga një person që e njihte përmes xhamisë, hoxha Pajazit Tërnava.

Prokuroria pretendon se Tërnava i kishte propozuar viktimës që “ta ndihmonin disa njerëz që kanë para, por që punojnë me besë”. Në dëshminë e tij, viktima thotë se përmes Tërnavës ka marrë 50 mijë euro nga biznesmeni Arben Gashi, me kusht që pas gjashtë muajsh t’i kthente 100 mijë.

Një marrëveshje e tillë, sipas Kodit Penal të Kosovës, përbën fajde, pasi parashikon përfitim të jashtëligjshëm përmes kamatës së lartë.

Sipas Prokurorisë, kur viktima nuk kishte mundur të kthente paratë në afatin e caktuar, të akuzuarit i kishin kërkuar të nënshkruante një kontratë shitjeje për lokalin e tij në Prishtinë – kinse për garanci.

Në dukje, kontrata ishte e ligjshme, por organet e hetuesisë thonë se ajo ishte falsifikuar për t’u siguruar që prona të kalonte në emër të biznesmenit.

Viktima në dëshminë e tij tregon se i kishin thënë:

“Mos u shqetëso, është vetëm për siguri, kur t’i kthesh paratë, do ta anulojmë kontratën.”

Por, sipas tij, pak javë më vonë ata i kishin thënë se lokali tani ishte i tyre dhe se nëse fliste me policinë “do t’ia digjnin lokalin me benzinë”.

Në këtë skemë, sipas Prokurorisë, ishte përfshirë edhe Milazim Ahmeti, i përshkruar si shofer transporti.

Ai dyshohet se e shoqëronte biznesmenin në mbledhjen e borxheve dhe e vizitonte viktimën pothuajse çdo javë për ta “kujtuar” për pagesat. Në bastisjen e bërë nga policia, te Ahmeti janë gjetur një armë dhe disa fishekë pa leje, për të cilat ai tashmë akuzohet për mbajtje të paautorizuar të armës.

Një pjesë e rëndësishme e dosjes është dëshmia e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili është axha i të akuzuarit Pajazit Tërnava. Në deklaratat e tij para Policisë dhe Prokurorisë, ai pretendon se edhe vetë është dëmtuar financiarisht nga kjo marrëdhënie.

Ai ne polici kishte deklaruar: Personin P.B e kam njohur pasi më ka kontaktuar në telefon. Më ka kërkuar të takohem me të në një lokal në Prishtinë. Ai më tha se ka problem me djalin e vëllait tim, Pajazitin,” ka deklaruar Naim Tërnava. Para se të takohem me P.B, kam biseduar me Pajazitin dhe më ka njoftuar se e ka autorizuar P.B që ta shesë lokalin që e kemi pasuri të përbashkët. Pajaziti më tha se ai person nuk po ia jep paratë. P.B. kishte ndalur për vete diku 30 mijë euro. Për ta kthyer lokalin në gjendjen e mëparshme, u detyruam t’i japim atij personi 28 mijë euro. Ne si vëllezër u dëmtuam; secili dhamë nga 6 mijë euro. Por ai kurrë nuk më kontaktoi më,” përfundon dëshmia.

Të tre të pandehurit e mohojnë fajësinë.

Pajazit Tërnava pretendon se ka vepruar vetëm si ndërmjetës mes palëve dhe nuk ka përfituar asgjë.

Arben Gashi thotë se kontrata e lokalit ka qenë shitblerje e ligjshme dhe e nënshkruar me vullnet të plotë.

Ndërsa Milazim Ahmeti deklaron se nuk ka ushtruar kërcënime, por ka qenë vetëm i pranishëm në disa takime.

Prokuroria Speciale pretendon se të tre të akuzuarit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë për përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke kryer veprat penale të fajdes, detyrimit dhe mbajtjes së paautorizuar të armës.
Rasti do të shqyrtohet nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ky material është përgatitur mbi bazën e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS nr. 65/2023, dhe dokumenteve zyrtare të përfshira në të.

Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës./insajderi

TË FUNDIT

TË FUNDIT