26.7 C
Mitrovice
E hënë, 23 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

Nafta në Kosovë aktualisht 1.31 euro, rrezikon të shkojë deri në 2 euro për litër

Kosova po përballet me çmime të qëndrueshme të derivateve krahasuar me vendet e rajonit, mirëpo këto çmime mund të pësojnë rritje të menjëhershme si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar se kriza mes Izraelit dhe Iranit po ndikon drejtpërdrejt në tregun global të naftës, duke ngritur shqetësime për ndërprerje të furnizimit dhe si pasojë, rritje të çmimeve.

Çmimi i naftës në Kosovë sigurisht që ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike për shkak që Kosova importon pjesën me të madhe të naftës.

“Kjo situatë po shkakton frikë për ndërprerje të furnizimit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve. Irani prodhon një pjesë të madhe të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit – një arterie ku kalon rreth 20% e naftës botërore. Çdo eskalim i situatës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve”, ka deklaruar Berjani.

Ai theksoi se aktualisht qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmimet më të lira të naftës në rajon, përjashtuar Maqedoninë e Veriut, e cila ka akcizë më të ulët.

Çmimet aktuale të derivateve:

Në Kosovë:

Diesel: 1.22€ – 1.32€

Benzinë: 1.21€ – 1.31€

Në rajon:

Shqipëri: Diesel 1.91€, Benzinë 1.94€

Serbi: Diesel 1.81€, Benzinë 1.84€

Mal i Zi: Diesel 1.51€, Benzinë 1.54€

Bosnje: Diesel 1.48€, Benzinë 1.49€

Maqedoni: Diesel 1.18€, Benzinë 1.22€

Sipas Berjanit, çdo lëvizje e çmimeve globale ndikon edhe në tregun kosovar, pasi Kosova e importon pothuajse të gjithë sasinë e naftës.

Alarmin për rritje edhe më të madhe e ka ngritur pas zhvillimeve të fundit, ku SHBA-të kanë bombarduar tre centrale bërthamore në Iran, e si kundërpërgjigje, parlamenti iranian ka marrë vendim për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

“Kjo do të shkaktojë krizë globale të furnizimit me naftë. Nëse ngushtica mbetet e mbyllur, çmimi i naftës mund të kalojë 100 apo edhe 200 dollarë për fuçi,” ka theksuar ai.

Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Detin Arabik dhe Oqeanin Indian, është një rrugë jetike për eksportin e naftës nga vendet si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Iraku dhe Kuvajti.

Mbyllja e saj nënkupton ndërprerje të furnizimit për tregjet kryesore në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Berjani ka shtuar se rritja e çmimit të naftës do të përkeqësojë situatën ekonomike në vend, duke pasuar efekt zinxhir edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, energjisë dhe shpenzimeve të tjera bazë./monitor/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT