Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur skepticizëm për mundësinë e krijimit të një qeverie stabile, duke e parë këtë skenar po aq të mundshëm sa edhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Ndoshta po tregohem pesimist, por mendoj se shansi për të formuar një qeveri stabile, të nevojshme për Kosovën, duket i barabartë me shansin për të shkuar në zgjedhje të reja”, ka thënë Isa Mustafa për “Blic”.
Sipas tij, partitë politike nuk po ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e shumicës qeverisëse.
“Nuk jam në situatë të parashikoj se kush do ta bëjë shumicën e nevojshme për ta zgjedhur qeverinë, por vërej se procesi është jo i lehtë. Është një situatë gati paradoksale, në të cilën asnjë subjekt nuk ka iniciativë konkrete që qon kah formimi i qeverisë, sepse çdo kombinim duket të jetë fragjil dhe se më shumë iu pëlqen të mos marrin përgjegjësi në këto ndryshime të papara gjeopolitike”, ka shtuar ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa.