Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, duke treguar arsyet e saj pse nuk e ka dhënë votën e saj për të.
“Nuk mund të votoj për kryetar të Kuvendit një person që karrierën politike e ka ndërtuar jo mbi vizion e unitet, por mbi urrejtje dhe përçarje. Si qytetare dhe si deputete, nuk mund të pranoj që në një nga pozitat më të larta shtetërore të ulet dikush që hapur ka treguar përçmim ndaj Ushtrisë Çlirimtare, ndaj Drenicës, ndaj PDK-së dhe ndaj figurës së Hashim Thaçit”, ka deklaruar Musliu.
Ajo shtoi se vota për Dimal Bashën do të konsiderohej tradhti ndaj besimit të mbi 31 mijë qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje për më shumë se 16 vjet.
“Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë e përçmojnë. Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike. Ne kemi nevojë për dinjitet. Ky nuk është inat – është parim”, theksoi Musliu.