Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së kësaj të fundit për veprimet e aktivistëve të Vetëvendosjes në vitin 2018 ndaj një gjyqtari serb me të kaluar të dyshimtë.
Musliu e ironizoi Haxhiun për lavdërimet ndaj “Beretave të VV-së” dhe e akuzoi se, ndonëse është në pushtet prej pesë vitesh, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim institucional për çështje të ndjeshme të sigurisë dhe drejtësisë.
“Na thuaj, roboti i indoktrinuar, që kur erdhe në pushtet, sa letra i ke dërguar Gjykatës Kushtetuese për këtë gjyqtar? Sa veprime ke ndërmarrë kundër dikujt që përbën kërcënim për rendin kushtetues?”, ka shkruar Musliu në statusin e saj në Facebook.
Ajo shtoi se Haxhiu nuk mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes akuzave dhe se përkundër mbështetjes së madhe popullore dhe informatave që ka pasur, nuk ka vepruar ndaj rasteve të dyshuara.
“Hashim Thaçi mban përgjegjësi për veprimet e tij; ti mban përgjegjësi për veprimet e tua. Duhet të veprosh, të punosh, të provosh veten. Deri më tani ke dëshmuar se e vetmja gjë që di të bësh është t’i akuzosh të tjerët,” ka shkruar ndër të tjera Musliu.