Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024, e tejkalon krejt rritjen e pagës mestare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara.
Ai u është referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku ka thënë se në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak, shkruan Reporteri.net.
“+218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2. +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara. Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat”, ka shkruar Murati.
Sipas Muratit, qeveria Kurti ka qenë më miqësorja ndaj bizneseve. Bizneset kanë protestuar javën e kaluar, shkaku i vendimit për dalje në tregun e energjisë së lirë. Bizneset kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, gjë që nuk ka ndodhur.
“Heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë. Qeveria për sektorin privat!”, ka shkruar Murati.Reporteri.net