2.2 C
Mitrovice
E enjte, 27 Nëntor, 2025
spot_img

Municionet e para “Made in Kosova” në fund të 2026-s

Një vit pas nisjes së procedurave dhe negociatave për ndërtimin e Fabrikës së Municioneve, Qeveria në detyrë ka njoftuar se ajo do të ndërtohet në fshatin Jahoc të Gjakovës dhe për këtë qëllim ka marrë vendim që ta bëjë shpronësimin e pronave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë thënë se zona do të shndërrohet në një hapësirë prodhimi teksa kanë bërë të ditur se municionet e para të prodhuara në këtë fabrikë do të dalin në fund të vitit të ardhshëm Jahoci i Gjakovës do të jetë baza e parë në të cilën Kosova do t’i prodhojë vetë municionet e veta.

Hapësira më se 100-hektarëshe në këtë fshat afër qytetit të Gjakovës do të shndërrohet në zonë industriale dhe do të shërbejë për prodhimin e municionit për ushtri e polici, pasi Qeveria në detyrë ka marrë vendim në mbledhjen e së enjtes për t’i shpronësuar për këtë destinim pronat e ish-kombinatit “Ereniku”.

“Me miratimin e saj, i hapim rrugë në terren ndërtimit të Fabrikës së Municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur, që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrejë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më të veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes.

Ai ka bërë të ditur se në bazë të planifikimeve të bëra, municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fund të vitit të ardhshëm.

“Ndërtimi i kësaj fabrike, për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE (Makina ve Kimya Endüstrisi A.Ş.), do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë, me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, ka thënë ai, teksa ka bërë zotimin për “investim mbi 1 miliard euro në mbrojtje” në rast se e siguron edhe një mandat në krye të Qeverisë.

E ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se në zonën industriale të mbrojtjes, krahas fabrikës për prodhimin e municioneve do të akomodohen edhe investitorët e interesuar në këtë fushë.

“Do të jetë një hapësirë prej më shumë se 100 hektarësh që do të shfrytëzohet nga fabrika jonë e municionit por që do të jetë edhe një mundësi që, si qeveri, të mbështesim prodhuesit të ndryshëm ushtarakë nga vendet e ndryshme, por edhe vendorë, që planifikojnë që të prodhojnë në atë zonë”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se Fabrika e Municioneve do të drejtohet nga një kompani publike.

“Kemi bërë një hap shumë të mirë përpara në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes që do të jetë jo vetëm në funksion të mbështetjes së kapaciteteve të mbrojtjes së vendit tonë por do të jetë edhe një segment i rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit tonë duke mundësuar të rinjve, bizneseve e të gjitha institucioneve që të kontribuojnë në industrinë e mbrojtjes”, ka deklaruar Maqedonci, në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë.

Në Ditën e Forcës, një vit më parë, ka nisur zyrtarisht puna për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municioneve, me formimin e Komisionit Ndërministror për fillimin e procedurave dhe negociatave në këtë drejtim. Një muaj më vonë, në dhjetor të 2024-tës, Qeveria ka nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk “MKE” për funksionalizimin e fabrikës. Sipas marrëveshjes, “MKE” do ta furnizojë Kosovën me pajisje për prodhimin e gëzhojave dhe plumbave, me linja të montimit dhe të ngarkimit, si dhe me laboratorë dhe pajisje testimi.

Përveç kësaj, ekspertë turq do të ofrojnë edhe trajnime në prodhim, në mirëmbajtje, në riparim dhe në asistencë teknike për fuqinë punëtore lokale. Ndërtimi i objekteve të prodhimit do të bëhet gjithashtu nga kompania MKE. Mediat turke, një muaj më parë, kanë raportuar se fabrika e parë e municioneve që do të ndërtohet në Kosovë do të ketë kapacitet prodhues prej 20 milionë fishekësh në vit./koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT