Eugen Cakolli nga KDI ka folur rreth moscertifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka thënë se vendimi për mos certifikimit të Listës Serbe nuk ka bazë ligjore.
Cakolli tutje ka thënë se për KQZ-në nuk është hera e parë që të lëshohet në vendime të tilla të motivuara politikisht.
“Një rast të tillë e kemi pasur edhe në vitin 2019 në atë kohë kur organizoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore pas dorëheqjeve në atë periudhë. KQZ-ja kishte refuzuar që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e saj dhe kandidatët e saj për pjesëmarrje në zgjedhje, me ç’rast lënda ishte ankimuar në PZAP dhe në Gjykatë Supreme dhe që të dyja kishin konfirmuar që… KQZ-ja nuk ka autorizim ligjor që të lëshohet në interpretime të tilla jashta kritereve formale të certifikimit të subjekteve politike”, ka thënë Cakolli në FIVE në RTV Dukagjini.
Ai tutje ka thënë pavarësisht se liderët e Listës serbe dhe kandidatët e saj janë ballafaquar me probleme, ajo megjithatë plotëson kriteret minimale për të operuar në Kosovë derisa nuk kemi asnjë vendim për ta ndaluar apo çregjistruar atë.
“Nuk ka bazë ligjore për t’ua ndaluar pjesëmarrjen vetëm për shkak të deklarimeve publike”, ka thënë ai.
Moskthimi i përgjigjeve nga MPB për kandidatët e Listës Serbe sipas Cakollit aspekti i sigurisë nuk është kriter formal që një subjekti politik ti ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje.
Tutje ai ka thënë se një vendim i tillë ndoshta është marrë për motive elektorale.
Cakolli tutje ka thënë se KQZ do të obligohet që ta certifikojë Listë Serbe, andaj target i sulmit do të jetë PZAP dhe Gjykata Supreme lidhur me këtë sidomos nga eksponent të partisë në pushtet[Lëvizjes Vetëvendosje] të cilët tani po e përshëndesin vendimin e KQZ-së.