Dr. Sahr Hamad, një mjek palestinez në Gaza, deklaroi në një letër drejtuar Presidentit Erdogan se Turqia heshtte përballë masakrës dhe rrethimit në Gaza, duke thënë: “Ne u mashtruam nga fjalët tuaja”.
Mjeku palestinez Dr. Sahr Hamad, i cili punon në veri të Rripit të Gazës, i ka dërguar një letër Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Këtë letër, Dr. Hamad e ndau përmes gazetarit nga Gaza, Mohammed AbuTaqiya. Sipas lajmit të gazetarit Feyzanur Çalkoğlu të gazetës Karar, në këtë letër Dr. Hamad ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj heshtjes së Turqisë përballë shkatërrimit dhe rrethimit në Gaza.
Letra fillon me shprehjen
“Bismilahirrahmanirrahim” dhe ajetin nga Surja Teube: “Thuaj: Punoni! Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do t’i shohin veprat tuaja” (Teube, 105).
Në letrën e tij drejtuar Presidentit Erdoğan, Dr. Hamad theksoi se në të kaluarën e kanë parë Turqinë në krah të të shtypurve, por gjatë masakrave në Gaza ata u lanë të vetëm, duke përdorur këto fjalë:
“I nderuar President, ju deshëm, gjithmonë u lutëm për fitoren tuaj, dëshiruam që ju të ngrinit lart flamurin e së drejtës, ju pamë pranë të shtypurve, por… në momentin më të vështirë të Gazës – të paktën me heshtjen tuaj e me mosveprimin tuaj – pamë që Turqia u tërhoq, dhe kjo na lëndoi thellë.”
“AS NJË SHISHE UJË NUK NA E DËRGUAT”
Dr. Hamad, duke argumentuar se përpjekjet diplomatike ndërkombëtare kanë dështuar, pyeti: “Ju thoni se respektoni ligjin ndërkombëtar, por ku është ligji i Allahut? Ku është e drejta profetike? Ku është sunneti i Profetit?”
Ai theksoi se Gaza është nën sulm dhe bllokadë të rëndë për më shumë se 600 ditë, duke përshkruar shkatërrimin humanitar me këto fjalë:
“Janë dhënë mijëra dëshmorë, dhjetëra mijëra të plagosur. Një popull po zhduket mes zjarrit, urisë dhe rrethimit. Betohem në Allah, i nderuar President, nuk kërkuam ndihmë ushtarake nga ju, nuk kërkuam mbështetje ushtarake, vetëm ujë, ushqim dhe një korridor të vërtetë ndihme kërkuam. Por, ndërsa zullumqarët dërgonin të gjitha armët e tyre, ju nuk arritët të na sillnit as një shishe ujë, as një copë bukë.” Periskopi/