Pas publikimit të një raporti ku thuhej se në pesë vitet e fundit Inspektorati Shëndetësor kishte kryer vetëm 44 inspektime në repartet e Gjinekologjisë, ka reaguar mjeku i njohur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Dr. Xhevdet Quni.
Në një deklaratë publike, Dr. Quni ka theksuar se shërbimet që ofrohen në Klinikën e Gjinekologjisë dhe në klinikat tjera të QKUK-së janë të pakrahasueshme, jo vetëm në rajon, por edhe në nivel evropian – veçanërisht kur merret parasysh kostoja pothuajse simbolike për pacientët.
“Klinika e Gjinekologjisë dhe klinikat tjera në QKUK, me stafin e tyre, kryejnë shërbime që pacientët tanë të dy gjinive nuk kanë mundësi t’i marrin askund në spitalet në rajon dhe askund në Evropë me kosto pothuajse falas,” ka deklaruar Dr. Quni.
Ai ka theksuar se në këtë klinikë trajtohen edhe rastet më të ndërlikuara të lindjeve me patologji të placentës – raste që, sipas tij, spitalet private në rajon nuk i pranojnë për shkak të komplikimeve dhe rrezikut për jetën.
“Vetë kam marrë pjesë në ndërhyrje që kanë zgjatur deri në 8 orë. Ato kryhen me shumë sukses nga ekipet e kombinuara: gjinekologë, urologë dhe kirurgë të fushave të tjera. Po të realizoheshin në sektorin privat, do të kushtonin mijëra euro – të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare,” shton ai.
Dr. Quni po ashtu theksoi përkushtimin dhe sakrificën e stafit mjekësor në QKUK, duke i cilësuar ata si “bijtë dhe bijat e kombit” dhe “krenarinë e shëndetësisë kosovare”.
Deklarata e tij vjen si kundërpërgjigje ndaj kritikave për mungesë të inspektimeve në repartet e Gjinekologjisë, duke sjellë në vëmendje kontributin e palodhur të stafit mjekësor në përballjen me rastet më të rënda dhe të ndërlikuara.