Ka përfunduar numërimi i votave në Qendrën Komunale Zgjedhore (QKZ) në Mitrovicë, si për kryetar komune, ashtu edhe për kandidatët për Asamblenë Komunale.
Sipas rezultateve të reja, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, vazhdon të kryesojë garën për të parin e Mitrovicës përballë kandidatit të LVV-së, Faton Peci. Diferenca mes tyre është rritur lehtë krahasuar me rezultatet preliminare të publikuara më herët nga KQZ.
Në numërimin fillestar, Tahiri kishte marrë 15,368 vota (47.89%), ndërsa Peci 15,340 vota (47.80%) – një diferencë prej vetëm 28 votash në favor të kandidatit të PDK-së.
Pas përfundimit të numërimit në QKN, diferenca është rritur në 40 vota. Aktualisht, Arian Tahiri ka 15,393 vota (47.91%), ndërsa Faton Peci 15,353 vota (47.78%).
Në vendin e tretë në këtë garë është Gëzim Plakolli i LDK-së, me 1,146 vota apo 3.57% të votave të përgjithshme.
Rezultatet zyrtare përfundimtare pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ditët në vijim.
/GazetaSinjali/