Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor dhe i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër zyrtarëve të tjerë, pasi dyshohen për përfshirje në veprën penale “Përvetësimi në detyrë”. Dyshimet lidhen me një rast të ndodhur më 13 mars 2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas IPK-së, ekziston dyshimi se zyrtarët policorë, pasi kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Kosovës, kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, përkatësisht rreth 12 mijë e 500 pako, në vlerë të përafërt prej 30 mijë eurosh.
Pas veprimeve hetimore, një zyrtar policor është arrestuar, ndërsa me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Katër zyrtarët e tjerë, sipas njoftimit, po hetohen në procedurë të rregullt.
Nacionale ka mësuar se malli në fjalë nuk rezulton të ketë qenë i kontrabanduar, por ishte siguruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.



