Numëruesit dhe vëzhguesit e Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë i dërguan KALLXO.com fotografi të fletëvotimeve, numri serik i të cilave ishte i shqyer, përkatësisht në fletëvotimet ku ishte votuar Arian Tahiri, kandidat për kryetar të Komunës nga radhët e PDK-së.Ata pretenduan se ashtu i kanë gjetur dhe sipas tyre kanë ardhur nga qendra e votimit në Shipol, me ç’ rast gjithsej 12 fletëvotime të tilla u shpallën të pavlefshme.
“Kur i kemi hapur kutitë e fletëvotimit ne si vëzhgues i kemi parë në atë gjendje. Kemi parashtruar ankesë. Kanë qenë në 12 fletëvotime. Por atje gjatë procesit zgjedhor kur i kanë dhënë fletëvotimet qytetarët i kanë këputur edhe në atë gjendje i kemi gjetur e këtu shpallen si të pavlefshme. Realisht faji është tek personi që i ka këputur fletat”- tha njëri nga vëzhguesit.
Sekretari i PDK-së në Mitrovicë, Valon Brahimi, potencoi se për këtë kanë dërguar ankesë në PZAP dhe sipas tij kjo nuk është ankesa e vetme që kanë adresuar.
“Ne ankesë kemi bërë sepse në formularë ka figuruar që nuk ka numra serik të shkruar dhe ne kemi dyshuar që ajo nuk është mbyllur kur është dorëzuar. D.m.th. tek qendra e votimit në një vend kemi hasur mungesë të fletëvotimeve dhe nënshkrimeve, këtë rast e kemi çuar në PZZP. Është pjesë e QNR-së ata duhet proceduar si rast”- tha Brahimi.
Ndryshe bazuar në rezultatet preliminare, për Kuvendin Komunal PDK ka fituar 40.43 për qind të votave, LVV 22.67 për qind, 12.89 Partia GUXO dhe 11.94 LDK.
Sa u përket votave për kryetar të Komunës gara është e ngushtë mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së. Sipas rezultateve ende preliminare Arian Tahiri prin me 47.89 për qind, i ndjekur nga Faton Peci me 47.80 për qind të votave./kallxo.com