Psikologu shqiptar Fikri Hajdari është pranuar në një program doktorature (PhD) në Norvegji, pas një procesi përzgjedhës me konkurrencë të lartë. Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional dhe akademik, duke e pozicionuar atë në një nga sistemet më të zhvilluara evropiane të kërkimit dhe shëndetit mendor
Pozita e Hajdarit është në Akershus universitetssykehus (Ahus), në bashkëpunim me Universitetin e Oslos. Ai do të jetë pjesë e një projekti kërkimor të financuar nga Norges Forskningsråd (Këshilli Norvegjez i Kërkimeve), një prej institucioneve kryesore që mbështet zhvillimin shkencor dhe inovacionin në Norvegji.
Gjatë qëndrimit në Norvegji, Hajdari ka ndërtuar përvojë në sektorin e kujdesit social dhe të shëndetit mendor, duke u integruar gradualisht në një sistem të ri profesional. Ky angazhim i vazhdueshëm dhe përkushtimi ndaj profesionit kanë qenë baza e avancimit të tij akademik dhe shkencor.
Ndërkohë, ai është angazhuar edhe në fushën e botimeve akademike, duke bashkëpunuar si bashkautor në librin universitar “Psikologji Edukimi”, ndërsa aktualisht është në proces botimi edhe libri “Vështirësitë në të nxënë”, një projekt tjetër që pasqyron kontributin e tij në zhvillimin e literaturës profesionale në gjuhën shqipe.



