Dje një qytetar mitrovicas kishte sulmuar verbalisht e tentuar të sulmojë fizikisht ekipin mjekësor të QKMF-së, shkruan Mitrovica SOT
Në lidhje me këtë ka reaguar Drejtoria e Shëndetësisë e cila ka sqaruar rastin.
Drejtoria e Shëndetësisë sqaroi se pacienti ka shfaqur sjellje agresive përkundër që kishte marrë trajtim adekuat për familjarin dhe pas kryerjes së procedurave të rregullta në përputhje me protokollin.
Drejtoria u ka përkujtuar qytetarëve se në QKMF por edhe në të gjitha QMF-të ekzistojnë kutitë e ankesave ku mund të adresojnë kritikat e pakënaqësitë.
Postimi:
REAGIM
Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr.Nexhat Çuni” në Mitrovicë, pasi kanë shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe informatat lidhur me rastin, dënojnë ashpër sulmin verbal dhe tentimin për sulm fizik ndaj ekipit mjekësor kujdestar të Sektorit të Mjekimit Urgjent, i cili ka ndodhur ditën e djeshme në Urgjencën e QKMF-së nga ana e një qytetari përcjellës i pacientit (familjar i tij).
Qytetari në fjalë pasi ka marrë shërbimin adekuat mjekësor për familjarin e tij në Urgjencën e QKMF-së, nga mjekja kujdestare i është dhënë udhëzimi për trajtim mjekësor specialistik të mëtutjeshëm në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës, sipas protokollit zyrtar dhe sipas praktikës së zakonshme mjekësore. Qytetari pasi ka grisur udhëzimin e dhënë, ka filluar sulmin verbal ndaj mjekes dhe stafit duke tentuar ta sulmojë edhe fizikisht e që fatmirësisht kjo është pamundësuar nga intervenimi i stafit mjekësor dhe teknik të QKMF-së i ndodhur aty sipas orarit zyrtar.
Pasi është lajmëruar policia, qytetari është shoqëruar në stacionin e policisë, mjeket dhe infermierët kanë dhënë deklaratat e tyre dhe rasti është në procedim dhe shqyrtim të organeve ligjzbatuese ku besojmë se do të marrë epilogun përfundimtar e të merituar sipas ligjit.
Në të gjitha sektorët dhe njësitë organizative të QKMF-së ,në të gjitha QMF-të dhe AMF-të janë të vendosura kutitë e ankesave, numri për linjën e veqantë telefonike të Ministrisë së Shëndetësisë për ankesat e pacientëve dhe Karta e të drejtave dhe përgjegjësive te pacientëve e poashtu në QKMF funksionon dhe ështe e hapur zyra e Këshillit të Pacientëve, ku qytetarët mund ti adresojnë çdo vërejtje, pakënaqësi apo kritikë rreth marrjes së shërbimeve shëndetsore, të cilat shqyrtohen Komisioni për Ankesat e Pacientëve , ku është anëtar edhe një përfaqësues i Këshillit të Pacientëve. Prandaj sjellja e tillë dhe sulmet e tilla janë të paarsyeshme, të papranueshme dhe të dënueshme.
Sektori i Urgjencës në QKMF është 24 orë në ditë në shërbim të qytetarëve duke mbrojtur jetën dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe rastet e tilla sa do që janë të izoluara, pengojnë punën e stafit mjekësor dhe kështu rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve, prandaj duhet të trajtohen me rigorozitetin më të madh brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe QKMF falenderojnë qytetarët e Mitrovicës për bashkëpunimin dhe respektin e vazhdueshëm ndaj punëtorëve shëndetsorë dhe jemi të vetëdijshëm se ky rast është një rast i izoluar dhe asesi nuk paraqet as disponimin e tyre ndaj mantelbardhëve e as nivelin e sjelljes dhe kulturës së qytetarëve të Mitrovicës.
Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe QKMF janë të përkushtuara dhe do të vazhdojnë të angazhohen, që krahas përmirësimit të kushteve për punë për mjekët dhe punëtorët shëndetsorë të ofrojnë edhe sigurinë e nevojshme gjatë punës së tyre.
Me respekt,
Dr.Fahri Shabani
Drejtor i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi