Ndezja e qëllimshme e zjarrit apo shkaktimi i shpërthimit me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër përbën vepër penale dhe dënimi është me burgim. Për një rast të tillë, Policia në Mitrovicë ka arrestuar një person, i cili ka vendosur që mosmarrëveshjet me fqinjin t’i zgjedh duke ia djegur veturën, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari N.Ll., është arrestuar të shtunën, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Zjarrvënie”. Rasti dyshohet se ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje që i dyshuari ka pasur me pronarin e veturës, të cilin e ka edhe komshi.
I njëjti u arrestua pasi Policia nisi hetimet për rastin e djegies së veturës, e cila ishte përfshirë nga zjarri, por nuk dihej fillimisht shkaktari. Pas veprimeve të marra nga ana e Policisë, u identifikua i dyshuari, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
/GazetaSinjali/