16.1 C
Mitrovice
E diel, 28 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Miratohet në parim Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Sot Kuvendi i Kosovës në lexim të parë ka miratuar Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Pro këtij projektligji kanë votuar 60 deputetë, një ka abstenuar, ndërsa asnjë s’ka qenë kundër.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë prezantimit të projektligjit ka potencuar se Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri, por se i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese.

“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e ligjit pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit mbikëqyrës në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve”.

Më 26 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi gjeti se katër nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”./Reporteri.net/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT