11.9 C
Mitrovice
E premte, 18 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Minierat e menaxhuara nga serbët në veri performojnë më mirë se ato të jugut

Tri njësitë biznesore të ndërmarrjes “Trepça” – e Stantërgut, e Artanës dhe ajo e Leposaviqit, të cilat menaxhohen nga serbët në veri – sipas planit të biznesit të vitit 2025, do të kenë të hyra të përgjithshme rreth 26 milionë euro. Sipas të dhënave, të cilat ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të njësisë biznesore me minierat në Leposaviq ia ka ofruar KOHËS, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti minierat në veri kanë arritur të bëjnë shitje të koncentratit të plumbit dhe zinkut për rreth 2 milionë euro

Rreth 16 milionë euro (16,230,000) pritet që të jenë të hyrat e përgjithshme për njësinë biznesore Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq, bazuar në planin e biznesit të ndërmarrjes për vitin 2025.

Njësia biznesore e menaxhuar nga serbët në veri pritet që të gjenerojë më shumë të hyra sesa njësitë e tjera në jug, të cilat i ka në menaxhim shteti. Sipas planit të biznesit të vitit 2025, tri njësitë biznesore të ndërmarrjes “Trepça” – e Stantërgut, e Artanës dhe ajo e Leposaviqit, të cilat menaxhohen nga serbët në veri – do të kenë të hyra të përgjithshme rreth 26 milionë euro

Dallime të mëdha këto njësi biznesore, sipas ndërmarrjes “Trepça”, pritet që të kenë edhe për investime kapitale.

“Për vitin 2025, njësia biznesore Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq pritet të ketë 16,301,000 euro për investime kapitale, miniera me flotacion ‘Trepça’ në Stantërg 8,202,900 euro, ndërsa njësia biznesore me flotacion Kishnicë e Artanë 1,833,000 euro”, kanë bërë të ditur në ndërmarrjen “Trepça”.

Sipas të dhënave, të cilat ia ka ofruar KOHËS ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të njësisë biznesore i Minierave me Flotacion Kopaonik – Leposaviq, Dejan Kërstiq, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kjo njësi ka arritur që të bëjë shitje të koncentratit të plumbit dhe të zinkut në vlerë të rreth 2 milionë eurove.

E gjatë vitit të shkuar, kjo njësi biznesore ka arritur të realizojë shitje të këtyre koncentrateve për rreth 8 milionë euro.

Për dallim nga plani i biznesit të këtij viti, ndërmarrja “Trepça” nuk posedon plan të biznesit të vitit të kaluar për minierat e menaxhuara nga serbët në veri.

Për këtë në “Trepçë” janë arsyetuar se në atë kohë plani nuk ka qenë i integruar.

“Për planin e biznesit për vitin 2024 nuk kemi raport, pasi që në atë kohë nuk ka qenë i integruar”, kanë thënë në këtë ndërmarrje.

Por ish-kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Ferat Shala, ka thënë se komunikimi i minierave në veri me ndërmarrjen është i ulët.

“Për shkak të rrethanave specifike dhe politike që ekzistojnë, qasja dhe komunikimi janë në minimum apo zero. Atje e kemi një menaxhment që nuk është caktuar apo emëruar sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë dhe nuk është emëruar nga institucionet e Republikës së Kosovës. Në një periudhë të caktuar, pjesa veriore e ka pasur një lëvizje pozitive në raport të komunikimit me AKP-në, por që miratimi i Ligjit të Trepçës, ata nuk e kanë përfillur Ligjin e Trepçës, që është në fuqi aktualisht”, ka theksuar Shala.

Aktualisht ndërmarrja “Trepça” ka kontrata për shitjen e koncentratit me kompanitë “MINECO” dhe “Trafigura”, që të dyja me seli në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Shitja e koncentratit, sipas ndërmarrjes, bëhet me anë të tenderëve ndërkombëtarë, nëpërmjet sistemit “Franco”./Kohanet

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT