Kureshtja e solli Stipe Mesicin në veri të Mitrovicës. Ish-presidenti i Kroacisë, në komunën e banuar me shumicë serbe, mbërriti nën masa të rrepta të sigurisë. Por ky vetë thotë se nuk ndjehet i rrezikuar.
“Kam dashur të shoh si njërën ashtu edhe Mitrovicën tjetër. Në fakt bëhet fjalë për një Mitrovicë. Po shoh se gjithçka është në rregull dhe qetë. Unë do të isha i sigurt sikur të kisha ardhur edhe vetëm këtu”, u shpreh Mesic, njofton Klan Kosova.
Politikani kroat thotë se kontrolli i plotë i shtetit të Kosovës në këtë zonë do të varet nga marrëveshja finale me Serbinë.
Ky përjashton çdo mundësi për luftë, andaj i thërret qytetarët për bashkëpunim.
“Gjithçka varet nga marrëveshja. Lufta ka lënë pasojat e saj, duhet të gjithë ta kuptojnë se luftë nuk ka dhe nuk do të ketë, dhe njerëzit duhet të bashkëpunojnë sepse vetëm kështu të gjithë do të jenë të kënaqur”, tha kroati.
Kjo është dita e dytë e qëndrimit të Mesic në Kosovë. Të shtunën, ai u prit nga tre liderët kryesorë në Prishtinë.