10.6 C
Mitrovice
E premte, 19 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

‘Merru me mirëqenien’ – Gjermania i reagon Kurtit: Mos i ndërto urat mbi Ibër, potencial përshkallëzimi

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nga Shkupi sot do të shkojë drejt në Mitrovicë për hedhjen e gurthemeleve të dy urave paralele me atë të urës kryesore mbi Ibër. Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje. Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë se “potencialisht” mund të ketë përshkallëzim në veri të vendit. Gjermanët i sugjerojnë Kurtit që burimet publike t’i riorientojnë në sfida shumë më urgjente.

Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.

“Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha për Gazetën Express Christian Böttcher, zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane.

Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.

“Riorientimi i burimeve publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane.

Ajo i kërkoi Qeverisë së Kosovës, që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të riorganizojë buxhetin e saj rreth këtyre objektivave të kahershme, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në këtë drejtim.

“Një ndryshim i tillë do të sillte përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, do të përforconte stabilitetin dhe do të hapte rrugën për prosperitet të qëndrueshëm. Gjermania vazhdon të jetë e gatshme të ndihmojë Kosovën në arritjen e këtyre qëllimeve”.

Plani për këto ura erdhi menjëherë pas themelimit të Bordit të Përbashkët mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Themelimi i këtij bordi u përkrah nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT