Një ditë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar të gjitha komunat ku partia që ai e drejton fitoi pa balotazh.
Krasniqi vizitoi edhe Mitrovicën, njëra prej komunave ku kjo parti fitoi. Bashkë me kryetarin e ardhshëm të Mitrovicës, Bedri Hamza, u ulën në lokalin në të cilin kishin vendosur që Bedri Hamza zë kandidojë për Mitrovicën.
“Me 31 korrik, bashkë me Bedri Hamzën ishim në Ëmbëltoren “Ballkan”, në Mitrovicë, atë ditë kur Bedriu iu përgjigj kërkesës së qytetarëve për të hapur një epokë të re për këtë qytet të dashur për ne. U rikthyem sonte në “Ballkan” për t’u ëmbëlsuar e për të reflektuar për këtë epokë të re, që qytetarët e Mitrovicës e hapën dje me besimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj Bedriut”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi tha se fitorja e Bedri Hamzës është fitore e të gjithë Mitrovicasve, pa dallim.
“Është fitore e zhvillimit kundër degradimit, e kompetencës kundër paaftësisë, e perspektivës kundër stagnimit, si dhe një nder i madh e përgjegjësi edhe më e madhe për Partinë Demokratike të Kosovës. Urime të gjithë qytetarëve të Mitrovicës. Jemi krenar me shembullin e përgjegjësisë qytetare që keni treguar në këto zgjedhje. Ju priftë e mbara në epokën e zhvillimit e dinjitetit, me Bedri Hamzën kryetar.”, tha ai.



