11.2 C
Mitrovice
E hënë, 10 Nëntor, 2025
spot_img

Memli Krasniqi: PDK është forca më e votuar në Kosovë – ky është fillimi i një kapitulli të ri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit, duke u konfirmuar si partia më e votuar në nivel vendi me 187,526 vota, 206 asamblistë të zgjedhur dhe gjashtë komuna të fituara: Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit.

“PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend. Dhe me gjashtë komuna të fituara, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet,” ka theksuar Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se kjo ishte një fushatë e pastër dhe dinjitoze, duke vlerësuar se edhe aty ku gara ishte e vështirë, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete.

“Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë,” tha ai.

Krasniqi ka falënderuar të gjithë kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash për angazhimin dhe dinjitetin e treguar, duke përmendur në mënyrë të veçantë kandidatin për Mitrovicë, Arian Tahirin.

“Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund,” deklaroi kryetari i PDK-së.

Në fund të mesazhit të tij, Krasniqi shprehu mirënjohje për qytetarët e Kosovës për shembullin demokratik që dhanë në këto zgjedhje, duke theksuar se PDK po hyn në një fazë të re të bashkimit dhe përgatitjes për fitore të tjera.

“Partia Demokratike e Kosovës sot qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur për sfidat që na presin. Ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri – kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme,” u shpreh ai.

Krasniqi përmbylli me një mesazh të qartë për të ardhmen:

“PDK nuk ndalet. Sepse PDK është e qytetarëve. PDK është e Kosovës. Dhe me PDK-në, ditët më të mira janë përpara vendit tonë!”

TË FUNDIT

TË FUNDIT