Analisti Lirim Mehmetaj ka reaguar për mundësinë e formimit të qeverisë nga opozita me në krye Bedri Hamzën, duke thënë se ky i fundit e ka një mundësi të artë për të qeverisur gjatë vitit të ardhshëm.
Bedri Hamza u deklarua dje se është i gatshëm ta formojë qeverinë e re për të cilën kanë votuar shumica shqiptare, pra atë të opozitës.
Për këtë, Mehmetaj tha se Hamza mund të shndërrohet në hero nëse i kryen disa punë të rëndësishme gjatë qeverisjes së ardhshme, sado e shkurtër të jetë.
Ai tha se Hamza mund t’i bëjë disa gjëra të mira që e zhvillojnë Kosovën: “E perfundon autostraden per Gjilan, i perfundon rruget per Mitrovice, Podujeve, Peje, Gjakove… Fillon ndertimin e unazes ne Prishtine… Fillon ndertimin e se paku 3 stadiumeve ne qytetet e Kosoves… I rrite pagat 50% per secilin sherbyes e te punesuar ne shtet… I dyfishon pensionet… I dyfishon te ardhurat ne skema te tjera sociale… Digjitalizon shkollat e Kosoves”, shkroi ai.
Mehmetaj po ashtu tha se Hamza do të kishte sukses nëse ia heq Kosovës sanksionet dhe i pastron listat e veteranëve.
“Te gjitha keto lehtesisht jane te beshme brenda 1 viti”, shkroi Mehmetaj, i cili tha se nëse i bën këto, Hamza pastaj mund ta fitojë mbështetjen e një shumice të qytetarëve.
Për momentin, opozita ka mundësi ta krijojë qeverinë e re nëse merren vesh tri partitë opozitare, të cilat aktualisht kanë 54 deputetë. Një qeveri e opozitës me minoritetet joserbe do të shkonte mbi 61 deputetë./gazetametro.net