Në një lëvizje surprizuese, ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është emëruar në pozicionin e drejtorit të Portit të Durrësit, raporton portali VNA.al në Shqipëri bazuar në burime.
Dy muaj pas dorëheqjes nga pozita e ministrit në detyrë të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Aliu, një prej figurave eminente të Vetëvendosjes është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.
Siç raporton VNA.al në raportimin ekskluziv të së hënës, Aliu është emëruar drejtor me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Periskopi.
VNA.al shkruan se përpos Aliut, që do të marrë nën drejtim Portin e Durrësit, ministrja Balluku ka emëruar edhe drejtorin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në këtë pozitë është emëruar Kreshnik Bajraktari.
Liburn Aliu është njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes dhe për shumë vjet një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës.
Ai shërbeu për më shumë se katër vjet si ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2.
Dy muaj më parë, Aliu dha doreheqje nga Qeveria Kurti pas mosmarrëveshjeve të brendshme. Publikisht, në njoftimin e dorëheqjes, ish-ministri tha se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte propozimi nga Vetëvendosje dhe zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.






