11.3 C
Mitrovice
E hënë, 27 Tetor, 2025
spot_img

Media gjermane: Dështimi i formimit të qeverisë – Kosova mes ngërçit të brendshëm dhe durimit që po i soset Perëndimit

Media gjermane, “Berliner Zeitung” ka shkruar një artikull për dështimin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës të dielën, ndërsa theksojnë se ditën e djeshme tensioni ishte i ndjeshëm në seancën e cila nisi mbi një orë me vonesë.

Në artikull thuhet se “për herë të tretë në karrierën e tij politike, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkonte të zgjidhej kryeministër i vendit ballkanik. Rezultati: një dështim që ishte i pritshëm. Vetëm 56 deputetë votuan për formimin e kabinetit të tij, 52 ishin kundër, ndërsa katër abstenuan. Kështu, Kurti nuk arriti shumicën e nevojshme prej 61 votash në një parlament me gjithsej 120 vende”.

Votimi mund të shihet si një simptomë e një krize politike më të thellë në Kosovë, shkruan media gjermane. Tutje në artikull thuhet se “prej më shumë se nëntë muajsh, bllokadat institucionale dhe përplasjet partiake e kanë paralizuar vendin. Kurti, që nga viti 2020 udhëheq shtetin e ri ballkanik si Kryeministër, konsiderohet nga shumë analistë si shkaku kryesor i kësaj ngecjeje”

Qasja e tij shpesh e ashpër dhe konfrontuese ndaj kundërshtarëve politikë e ka mbajtur Vetëvendosjen – pavarësisht humbjeve – si forcën më të madhe politike në vend, por njëkohësisht e ka bërë pothuajse të pamundur krijimin e koalicioneve. Politikanë të rëndësishëm të opozitës nga partitë kryesore parlamentare e kanë përjashtuar bashkëpunimin me Albin Kurtin prej vitesh.

Tani, zgjidhja e krizës i takon presidentes, Vjosa Osmanit.

Ajo ka detyrimin që brenda dhjetë ditësh të emërojë një kandidat të ri për formimin e qeverisë. Nëse dështon edhe kjo përpjekje, Kushtetuta parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh dhe se qysh tani po shtohen zërat që e shohin këtë si të vetmen mundësi të besueshme për ta nxjerrë vendin nga bllokimi politik.

Besimi i brishtë i aleatëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përpoq të zbusë dëmin politik që mund të shkaktojë kjo situatë, shkruan “Berliner Zeitung”, ndërsa shton se “ajo reagoi me “keqardhje të thellë” ndaj vendimit të SHBA-së dhe theksoi se marrëdhëniet me Washingtonin janë “pjesë thelbësore e shtetësisë dhe identitetit kombëtar të Kosovës”. Por domethënia simbolike e këtij zhvillimi është e madhe. Që prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, mbështetja e Shteteve të Bashkuara është konsideruar themel i sovranitetit të Kosovës. Fakti që Washingtoni po shpreh publikisht dyshime mbi besueshmërinë politike të qeverisë në Prishtinë, shënon një pikë kthese të rëndësishme. Edhe Bashkimi Evropian ka treguar pak durim kohët e fundit, gjë që reflektohet në bllokimin e fondeve të ndihmës për Kosovën.

Për ekonominë e brishtë të vendit, kjo është një zhvillim i rrezikshëm. Me rreth 1.7 milionë banorë, Kosova është një nga vendet më të varfra të Evropës, me papunësi të lartë dhe emigrim të madh të të rinjve. Edhe pse situata ekonomike është përmirësuar disi vitet e fundit, mungesa e mbështetjes së jashtme mund të sjellë rënie të ndjeshme të investimeve dhe humbje të besimit të investitorëve ndërkombëtarë – një besim që edhe ashtu ka qenë i brishtë.

/Reporteri.net/

TË FUNDIT

TË FUNDIT