10.8 C
Mitrovice
E premte, 17 Maj, 2024
spot_imgspot_img

‘Me shqiptarët e kemi bërë edhe më parë. I vrasim të gjithë’, gjenerali Clark tregon çka i tha Millosheviqii

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

Gjenerali Clark thotë në një intervistë me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar.

Në intervistën ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, të flasim mbi situatën aktuale të cilës juve iu referuat dhe veçanërisht marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova ka qenë një prej vendeve më pro-amerikane dhe kjo në masë të madhe edhe falë ndërhyrjes që juve drejtuat atëherë. Por tani, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ose së paku mes dy qeverive, janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj për këtë? Pse kanë arritur në këtë moment dhe çfarë mund të bëhet për të tejkaluar këtë situatë?

Gjeneral Wesley Clark: Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.

Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë.

Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviç në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.

Presidenti Millosheviç tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë”.

Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm.

Problemi është se veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës e kanë vështirësuar edhe më tej situatën, sepse gjithkush e kupton se Serbia ka një lidhje historike me Rusinë dhe Rusia po e përdor Serbinë për të përgatitur terrenin që nëse shënon sukses në Ukrainë, të shkaktojë kaos më të madh përsëri në Ballkanin Perëndimor. Kjo dihet.

Zoti Vuçiç duket i dyzuar mes dy alternativave: Të rreshtohet në krah të Perëndimit apo të mbajë marrëdhënien historike vëllazërore me Rusinë. Mesa duket ai po përpiqet t’i ketë të dyja. Së paku kështu duket nga jashtë. Po duke e parë nga jashtë, duket se populli i Kosovës, një vend më i vogël, varet nga mbështetja e huaj, nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë për të mbijetuar dhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Në një fare mënyre duhet të tregohemi të duruar. Duhet të vazhdojmë përpjekjet mbi këtë situatë. Duhet të kuptojmë se zgjidhja e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e pavaruar nga rezultati i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT