Pjesëmarrja në luftime të huaja jashtë shtetit të Republikës së Kosovës është i dënueshëm me ligjet në fuqi. Vetëm pjesëmarrja dënohet me 3-15 vite burgim, ndërsa organizimi dhe udhëheqja e grupeve për dërgim me qëllim lufte në shtetet e tjera dënohet me 5-15 vite burg efektiv. Ditë më parë, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, ka bërë të ditur se qytetarë të Kosovës i kanë kërkuar atij t’u tregohet se si të shkohet në Ukrainë.
Për sanimin me ligj për pjesëmarrësit në lufta të huaja ka folur për Lajmi.net avokati Asdren Hoxha me anë të një prononcimi me shkrim.
“Pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në lufta të huaja jashtë vendit, sipas Ligjit 05/L-002, organizimi dhe udhëheqja janë të dënueshme nga 5-15 vite burgim. Ndërkaq, pjesëmarrja e thjeshtë dënohet nga 3-15 vite burgim”, ka deklaruar ai për mediumin.
Hoxha iu është referuar Ligjit Nr.05/L-002, më saktësisht nenit 3 pika 1 dhe 3, i hyrë në fuqi më 2015-ën për herë të parë, përgjatë periudhës së mandatit të ish-presidentes, Atifete Jahjagës.
Siç përkufizon pika 1 e nenit 3, “Kushdo që organizon, rekruton, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
Ndërkaq, pika tre e po të njëjtit nen të Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, thekson se “Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
I njëjti nen, pika katër, edhe nxitjen në pjesëmarrje të luftërave të huaja, qoftë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij neni, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vite”, thuhet në këtë pikë.