Përvoja e madhe e krah-qendrës Will Daniels në basketbollin evropian po del të jetë shumë e rëndësishme për skuadrën e Trepçës në tentimin për ta kthyer titullin e kampionit në Mitrovicë pas më shumë se një dekade.
Trepça është kualifikuar në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa Daniels tregoi ndeshje të mira në serinë çerekfinale dhe gjysmëfinale. Në fakt, ai luajti mirë prejse iu bashkua Trepçës.
Kontributi i madh i amerikanit Daniels ndihmoi Trepçën për avancim në finale për edicionin e dytë rresht.
Të dielën në ndeshjen vendimtare ndaj Sigal Prishtinës, Daniels u shqua me 24 pikë, për ta ndihmuar skuadrën mitrovicase ta fitojë serinë gjysmëfinale me rezultatin 3:2. Trepça fitoi të dielën mbrëma në Prishtinë me shifrat 77:74. Me paraqitje të mira Daniels shpreson të vazhdojë edhe në finale ndaj Pejës. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione, ndërsa ndeshja e parë do të luhet të mërkurën mbrëma. Peja edicionin e rregullt e ka mbyllur në vendin e dytë, për dallim prej Trepçës që doli e katërta.
Daniels 37-vjeçar pret që seria e ndeshjeve finale të jetë e fortë, por insiston se Trepça do të shpallet kampione. Trepça është në kërkim të titullit të parë që nga viti 2012, ndërsa Peja nuk e ka shijuar këtë sukses prej vitit 2013. Të dy skuadrat ishin finaliste në edicionet e kaluara, por u mposhtën nga Golden Eagle Ylli.
“Jam shumë i lumtur që jemi në finale të plejofit dhe tani na pret një seri shumë e fortë. Nuk e di se deri në sa ndeshje do të shkojë, por mund të them se do të kemi përballje të forta, pasi të dyja ekipet e duam me çdo kusht titullin. Megjithatë, do të jemi të përgatitur edhe për këtë seri finale”, ka thënë Daniels të hënën për KOHËN. “Mendoj se mund ta fitojmë titullin pasi tashmë e kemi dëshmuar se kemi ekip, kemi lojtarë, kemi staf të trajnerëve, organizim në klub dhe përkrahje të madhe nga tifozët”.
Daniels, 203 centimetra i gjatë, pranon se terreni vendas është avantazh. Thekson se edhe Prishtina kishte një epërsi të tillë, por në fund u eliminua nga Trepça. Skuadra nga Mitrovica i fitoi dy ndeshje në shtëpi dhe të fundit në kryeqytet për ta eliminuar Prishtinën. Skuadra prishtinase në edicionin e rregullt ishte e para.
“Sigurisht që palestra vendase është avantazh, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të shpallemi kampionë, pasi një situatë të tillë e kishim edhe në gjysmëfinale dhe ia dolëm me sukses. Jemi gati për ta dëshmuar këtë dhe sigurisht që do të kërkojmë fitore edhe në Pejë”, është shprehur Daniels.
Ai ka fituar trofe në Evropë, kurse insiston se titulli me Trepçën do të jetë i veçantë në karrierën e tij. Daniels thotë se qëllimi i tij është që ta mbyllë edicionin në Kosovë me dy trofe, pasi tashmë e ka fituar Kupën e Kosovës.
Ndjenjën e të qenit kampion, Daniels e ka përjetuar në Letoni (2013) me Rigan, ndërsa në vitin 2020 ka triumfuar edhe në Meksikë. Po ashtu ka të fituar edhe një Kupë në Francë me Nanterre.
“Kam fituar tituj, por ky me Trepçën do të ishte i veçantë për karrierën time. E them këtë për shkak se do ta kthenim titullin në Mitrovicë, një qytet që jeton me basketbollin dhe na ka përkrahur në çdo ndeshje që e kemi luajtur deri më tani. Kjo është diçka madhështore dhe për këtë arsye dua ta fitoj edhe titullin për ta mbyllur edicionin me dy trofe”, është shprehur Daniels. “Tifozët na kanë ndihmuar të arrijmë deri këtu, ndërsa atmosfera në palestrën tonë është më e mira dhe më e zjarrta në të gjithë Kosovën. Është nder për mua që jam pjesë e këtij ekipi të madh”.
Krahas Letonisë e Francës, Daniels gjatë karrierës në Evropë ka luajtur edhe në Greqi, Rusi, Izrael e Turqi. Si profesionist Daniels ka nisur në vitin 2008, ndërsa ka qenë edhe pjesë e ekipeve nga Uruguai, Porto Riko e Libani.
“Në fakt unë para se të vija te Trepça kam dëgjuar për ligën e Kosovës dhe atë vetëm fjalë të mira. Kur bën karrierë të gjatë në Evropë, sigurisht se i njeh pothuajse të gjitha ligat. Kështu që më vjen shumë mirë që jam pjesë e kësaj lige të fortë, si dhe ekipit të Trepçës”, shtoi Daniels, që ka vlerësuar edhe përkrahjen e madhe që skuadra ka nga tifo-grupi “Torcida”. Trepça të dielën mbrëma u prit nga mijëra qytetarë në Mitrovicë.
Daniels iu bashkua Trepçës në fillim të këtij viti. Ai po luan me mesatare prej 13 pikëve e 7 kërcimeve për ndeshje. Shquhet për konsistencën dhe qetësinë në momentet vendimtare.
Daniels pranoi se kishte nevojë për pak kohë që të përshtatej te Trepça dhe insistoi se në pjesën më të rëndësishme të kampionatit është në formën më të mirë.
“Unë erdha te Trepça kur ekipi bëri ndryshime të mëdha dhe mendoj se gradualisht jemi kthyer fuqishëm për të treguar se synimet i kishim të mëdha. Merita ta mëdha për këtë kanë lojtarët që kanë qenë të përkushtuar dhe nuk janë dorëzuar asnjëherë, pastaj stafi i trajnerëve, përkrahja e kryesisë dhe sigurisht tifozët tanë ‘Torcida’, që gjithmonë kishin besim në forcën tonë. Jemi në pjesën më të rëndësishme të kampionatit dhe besoj se jemi gati për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas një kohe të gjatë”, ka shtuar Daniels.
© KOHA.