Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion ku i ka mbyllur objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo ka ardhur për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.
“Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
/GazetaSinjali/