-0.4 C
Mitrovice
E enjte, 22 Janar, 2026
spot_img

Mbeten jashtë Kryesisë së re të LDK-së, të ‘përjashtuarit’ që po i dalin kundër Lumir Abdixhikut

Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun dje zgjodhi Kryesinë e re të partisë.

Jashtë saj mbeten emra të njohur të LDK-së, por që veçohen ish-nënkryetarët Agim Veliu e Haki Rugova, ish-sekretari Arban Abrashi, zv.kryeministri në detyrë i Qeverisë dhe deputeti i zgjedhur, Driton Selmanaj, dhe emra të tjerë.

Ndërsa pjesë e Kryesisë së re u bën emra të ri që nuk ishin më parë në LDK. Në pozitën e nënkryetares u zgjodh Shqipe Mjekiqi, kurse Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë.

Dhe e gjithë kjo ka nisur të shkaktojë pakënaqësi në LDK, ku disa zyrtarë tashmë hapur i kanë dalë kundër kryetarit të ri, Lumir Abdixhiku.



Është Driton Selmanaj që sot hapur ka dalë kundër Lumir Abdixhikut, duke kundërshtuar paralajmërimin e tij se do të takojë u.d. të presidentes Vjosa Osmani.

Selmanaj ka thënë se turri për ta takuar Osmanin është turr për ta rrëzuar LDK-në, Vjosa e Albini janë të dëmshëm.

“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik. “ Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”.

Por ndaj kësaj deklarate të tij ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, i cili i ka thënë Selmanajt se Lumiri ishte i fundit që u takua me Vjosën dhe se LDK-së, po i kthehet dinjiteti në krye me Abdixhikun.

“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, znj.Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i rikthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. “Dream Team” në krye me Lumirin”, ka reaguar Quni.



Por, Selmanaj nuk ka vonuar dhe i ka reaguar nënkryetarit Qunit, njëherit kryetarit të tij të Degës në Prizren, duke thënë se “qenkan prek pak ‘gjenerata e re reformatore’ e LDK-së”.

“Pajtohem që zërin qytetar duhet dëgjuar me shumë kujdes, dhe që reflektimi të ndodh me domosdoshmëri, por ky reflektim duhet të filloj pikërisht nga ata që për 20 vite mbajtën pozita të rëndësishme në LDK, dhe ata që në degët e tyre në zgjedhjet e fundit humbën mbi 50% të elektoratit të LDK-së. Është e ligë dhe tejet e ulët që të tillët të na ripaketohen si reformator apo “dream team”! Kjo kohë ka kaluar!…”.

Në këtë debat u përfshi edhe sekretari i partisë, Imri Ahmeti, i cili deklaroi për mediat se “ata që s’i dëgjuan qytetarët të mos japin leksione, por të reflektojnë”.

Por kush janë personat tjerë që hapur kanë dalë kundër Abdixhikut?

Një ndër personat më me ndikim viteve të fundit në LDK padyshim se është Agim Veliu. Ai u la jashtë Kryesisë së re të partisë, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë.

Përkundër këtij ‘përjashtimi’, Veliu në një postim i tij në Facebook ku ka shkruar për 31 vjetorin e themelimit të LDK-së në Podujevë, ai i ka falënderuar votuesit e tij, duke iu premtuar se do të jetë ‘në shërbim të tyre’.

Në shkrimin e tij, Veliu nuk e përmend askund kryetarin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa thotë se kjo parti, gjithmonë do ta ketë prioritet ‘interesin nacional të vendit”.
Ndërsa Abdixhiku i pyetur nga mediat nëse ka marrë urim nga Veliu pasi u zgjodh në krye të LDK-së, ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka marrë apo jot.



Hapur kundër Abdixhikut ka dale edhe ish-deputeti Naser Rugova, i cili thotë se kreu i ri i LDK-së po eksperimenton me partinë.

Ai përmes një postim në Facebook ka shkruar se logjika dhe filozofia e partisë ORA dhe FER janë refuzuar nga elektorati i Kosovës dhe se kjo formulë e dështuar politike duhet të reciklohet në majat e LDK-së, por nuk e dinë se ku po donë të shkojë LDK’ja.

Edhe ish-anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se partia ka rënë në duar të “Soros-istëve”, “Ora-istëve” “Riinvest-ëve” dhe “pakurrizorëve tjerë” që sipas saj, e quanin veten rugovistë.

Marrëdhënie të mira me Abdixhikun siç duke nuk ka as Arban Abrashi i cili u la jashtë Kryesisë së partisë.

Se nuk kanë raporte të mira u dëshmua edhe ditën kur Abdixhiku u zgjodh në krye të partisë, ku pasi mbajti fjalimin dhe u ulë në tavolinë ia zgjati dorën vetëm Kujtim Shalës e Imri Ahmetit, por jo edhe Abrashit.

Kujtojmë se jashtë Kryesisë së partisë, Abdixhiku ka lënë edhe Skender Hysenin e Fatmir Sejdiun, Ismet Beqirin, Muharrem Sfarqën, Naser Osmanin e Florian Dushin.

Nënkryetarë të LDK-së janë zgjedhur: Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni si dhe Shqipe Mjekiqi, etj., kurse sekretar Imri Ahmeti. /Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT