Lëvizja Vetëvendosje vendosi të kandidojë sot për kryetare të Kuvendit ministren në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, por kot. Jo që s’pati vota të mjaftueshme, por as deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, nuk votoi për të. Sipas analistit Halil Matoshi, veprimi i sotëm është thikë pas shpine për Rexhep Selimin.
VV-ja e propozoi Gërvallën për kryetare, me synim që të krijohet rrëfimi se PDK, LDK, AAK e Lista Serbe dolën kundër. Por, as Shqipe Selimi në fund nuk e votoi.
Matoshi këtë veprim e pa si tradhti ndaj ish-deputetit të VV-së, Rexhep Selimi, pasi Gërvalla është e njohur për deklaratat e saj skandaloze kundër Rexhep Selimit.
“Lëvizja Vetëvendosje me kandidimin e Donika Gërvallës ia nguli thikë mas shpine njeriut të vet në Hagë, Rexhep Selimit. Ish ministrja e jashtme ma e pafta në Kosovën e masluftes, kastile e ka sulmu Rexhep Selimin si “njeri i botës së krimit” (këtë e vulosi mosvotimi i saj nga Shqipe Selimi e VVsë) dhe vet e ka bâ ispatë se ka deponu dosje kundër krenave të UÇKsë në Dhomat e posaçme”, shkroi Matoshi.
“Kështu VVsë telef i plasi bomba në duer, tue ia bâ ftyrën qivit! Njashtu Zoja Gërvalla- Schvartz âsht në konflikt të hapun me LDKnë, që kur u nxor zvarrë nga Kuvendi i LDKsë (2016); Albin Kurti e ka ditë se ajo nuk merr votat e ish opozitës. Ai thjesht e urrenë stabilitetin dhe këtë rend kushtetue”, tha më tej Matoshi.
Vetë deputetja Selimi, bashkëshortja e Rexhepit që po mbahet në Hagë, njoftoi se arsyeja për mosvotimin e Gërvallës lidhet me deklaratat e saj që e quante bashkëshortin e saj si figurë të botës së krimit./gazetametro.net