21.3 C
Mitrovice
E premte, 27 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

Matoshi: Kurti e ka marrë shtetin peng, nuk e njeh verdiktin e Kushtetueses

Analisti i njohur Halil Matoshi ka reaguar me kritika të ashpra ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, pas publikimit të aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në një analizë të gjatë, Matoshi e akuzon Kurtin se “e ka marrë shtetin peng” dhe se po vepron në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses.

Ai thekson se Kurti po e lexon këtë aktgjykim “jo si detyrim për bashkëpunim në mirëbesim, por si detyrim të opozitës”, duke shndërruar krizën në “puç kushtetues”.

Sipas Matoshit, Gjykata Kushtetuese e ka përforcuar aktgjykimin e vitit 2014 me një “gjuhë dihotomike dhe shpesh të ngurtë e pa frymë sanksionimi”, ku është vendosur qartë se:

“Jo zgjedhjeve të jashtëzakonshme, jo votimit të fshehtë dhe po marrëveshjes politike”, një verdikt që, sipas analistit, “e nxjerr blof Albin Kurtin”, shkruan ai.

Ai përmend katër pika kryesore nga aktgjykimi, ndër to edhe faktin që seanca konstituive e 15 prillit dhe vazhdimet e saj janë shpallur jokushtetuese, për shkak të ndërhyrjeve të Kryesuesit Avni Dehari dhe manipulimeve me rendin e ditës. Sipas Matoshit, kjo maskaradë proceduralisht ka cenuar të drejtën kushtetuese të deputetëve dhe ka sjellë bojkotin e opozitës.

Në një tjetër pikë thelbësore të aktgjykimit, theksohet se partia më e madhe parlamentare ka detyrimin për të arritur 61 vota me marrëveshje politike.

“Raison d’État – shteti para partisë – bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve”, ka shrruar Matoshi.

Ai shton se edhe pse Kushtetuta parasheh një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, Gjykata nuk ka mekanizma për të detyruar etikë politike dhe bashkëpunim, gjë që, sipas tij, VV po e keqpërdor si mekanizëm bllokues.

Në përmbyllje, Matoshi e sheh këtë situatë si një krizë të thellë institucionale pa zgjidhje reale, duke thënë se:

“Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë zgjidhje krizës institucionale, por ia ka dhënë Albin Kurtit një muaj kohë për koalicion.”

Në fund, ai mbyll analizën me një frazë të fuqishme, që sipas tij përmbledh gjithë situatën:

“Kompromisi, kjo është ‘Shpata e Demokleut’ që rri mbi qafën e Kurtit. Ai nuk e njeh!!!”

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT