Analisti politik Agon Maliqi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dëshmuar se dëshiron të qeverisë i vetëm dhe se nuk i pëlqen të bëjë konsensus për bashkëqeverisje me të tjerët.
Sipas Maliqit shembujt nga e kaluara i japin të drejtë opozitës të mos i besojë Kurtit për bashkëqeverisje.
Kurti është mandatar për një qeveri të re, pas konstituimit të Kuvendit nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka kohë deri të dielën të çojë në Kuvend ekipin qeverisës dhe të sigurojë shumicën për të qeverisur.
Sipas Maliqit, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka thënë se Kurti ka hezituar që prej shkurtit të ndërtojë një qeveri. Sipas tij, është në pikëpyetje edhe çështja nëse Kurti dështon e mandatari i takon partisë së dytë.
“Është e qartë që Kurti prej kur e ka kuptuar rezultatin në shkurt, ka hezituar ta ndërtojë një qeveri. Një qeveri me 61-62 vota është e dobët e cila gjithmonë do të varej nga prezenca e njërit apo dy deputetëve – nga teket e tyre. Nuk do ta zgjidhte as çështjen e presidentit. Këtë e ka diktuar rezultati, pra një koalicion me një parti shqiptare. Kjo s’i është dukur i pëlqyer Kurtit dhe kemi parë gjithë këta muaj përpjekje për të blerë kohë, për të mbetur kryeministër në detyrë, me shpresën se ndërkohë ka përçarje në opozitë, se mund të ndryshojë situata pas zgjedhjeve lokale, që këto 6 muaj t’i shfrytëzojë për të shpërndarë favore, siç ishin ato për studentë para zgjedhjeve. Elektorati ia ka imponuar konsensusin, por mendoj se synim i tij është të shkohet në zgjedhje në një opozitë të përçarë, e me Nismën e AAK-në që në rast të zgjedhjeve të reja rrezikojnë pragun dhe ndoshta edhe njëherë të bëhen llogaritë nga fillimi”, ka thënë ai në KTV.