Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka përjashtuar mundësinë që të jetë kandidat për president të Kosovës.
Ai thotë se tashmë bisedimet me Vetëvendosjen janë të përditshme.
“Kemi biseduar gjatë gjithë kohës. Ne jemi duke diskutuar opsione konkrete, propozimet janë nga të dyja palët, e marrëveshja arrihet si të pajtohen Kurti e Mustafa. Mund të ketë takime në çdo kohë. Takime do të ketë. Ne kemi filluar me takimet javore, e pastaj ditore. Veprimet e njëanshme kanë shkaktuar rrethana të reja dhe na ka detyruar të kthehemi prapa për të diskutuar në struktura. Ne jemi unik në këtë”, u shpreh Haziri.
Haziri thotë se nuk kanë rëndësi për të zërat se PDK-ja ka ndikim në të, pasi thekson se gjithmonë ka përfaqësuar LDK-në dhe është i interesuar për një marrëveshje me Vetëvendosjen.
“Jam i prirë të besoj atë që shoh e atë dëgjoj në takime, për mua nuk përfaqësojnë asgjë ata që qojnë mesazhe të tjera. Ata e dinë më saktë se unë përfaqësoj LDK-në. Mos të isha i painteresuar atëherë nuk do të shkoja në takime fare dhe do të thosha se nuk jam i interesuar për këtë marrëveshje”, ka thënë Haziri.