Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar situatën politike në vend, duke thënë se shkelja e Kushtetutës është kthyer në normë.
Para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Lushtaku tha se në këtë takim do të diskutohen shkeljet e vazhdueshme kushtetuese dhe hapat që partia do të ndërmarrë përballë ngërçit politik.
“Sigurisht që do të diskutojmë shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës dhe do të vazhdojmë diskutimin se cilat janë hapat dhe veprimet që do të ndërmarrim karshi këtij ngërçi politik që dy vite që po vazhdon me zgjedhje të njëpasnjëshme”, tha Lushtaku.
Ai kritikoi edhe faktin se, sipas tij, institucionet po përballen vazhdimisht me shkelje të reja kushtetuese, pavarësisht adresimit të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Fatkeqësisht shohim që ngërçi politik nuk po mundet me dalë jashtë shkeljeve të radhës. Sado që i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, i bie që vetëm të rikonfirmojmë shkeljen e radhës”, u shpreh ai.
Lushtaku tha se PDK-ja, përveç adresimit të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, mund të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike.
“Po shohim që në këtë rast është bërë normë shkelja e Kushtetutës dhe besoj që nuk është vetëm pjesa institucionale apo vendosja e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese, po do të jenë edhe veprime të tjera”, deklaroi Lushtaku.




