Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se janë të kënaqur me rezulatin e LDK-së në zgjedhjet e 17 tetorit.
Abdixhiku ka deklaruar se do të vazhdojnë me reformat në parti.
“Ne jemi të kënaqur me rezultatin që kemi marrë, përfaqësimi është i mirë, ekipe të reja, në pjesë të caktuara të LDK-së do t’i forcojmë edhe disa degë dhe të vazhdojmë me reformën”, deklaron ai, në Blic Interview.
I pyetur për balotazhin në Podujevë dhe për atë nëse kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni ka apo jo përkrahje nga Agim Veliu, kreu i LDK-së ka thënë se nuk ka kuptim të ketë marrëveshje politike brenda një shtëpie.
Abdixhiku kështu i ka çuar një mesazh Veliut, duke thënë se kush nuk i kupton reformat që po ndodhin, nuk mund të ecë bashkë me LDK-në, shkruan Reporteri.net.
“Ata që nuk mund ta kuptojnë reformën e LDK-së nuk mund të ecin me LDK-në. Nuk lejoj marrëveshje brenda LDK-së, është kandidati i LDK-së dhe duhet të përkrahet”, ka thënë Abdixhiku. /Reporteri.net/.



