Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur vetafrimin e Fatmir Limajt me Albin Kurtin.
Zëvendësministri i Drejtësisë, anëtari i Vetëvendosjes, Blerim Sallahu tha sot se Nisma po sillet brenda rregullave demokratike.
Derisa e quajti Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës një ‘parti në shuarje’, Sallahu lavdëroi Nismën e Limajt për respektimin të koalicionit parazgjedhor me partinë e Ramush Haradinajt.
“Përtej shpifjeve, kritikave të pabaza, insinuatave, të bëra nga akterë politik e parapolitik, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë respektuar në përpikëri koalicionin parazgjedhor me një parti në shuarje siç është AAK”, tha fillimisht Sallahu.
“Tash, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike”.
Sipas Sallahut, Nisma dhe AAK tashmë i kanë rrugët e ndara nga njëra-tjetra.
“Pra, marrëveshja për koalicion parazgjedhor të subjektit politik Nisma me AAK-në është realizuar. Kësisoj, sjellja e tillë është brenda rregullave demokratike!”, tha Sallahu.
Limaj mbrëmë bëri thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve.
Ai tha se kush i bën ftesë për t’u ulur në tavolinë, ai do t’i përgjigjej “për të mirën e vendit”.
“Kush të më ftojë në tavolinë, unë shkoj ulna – për tema nacionale. Çka po të vyen një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hyjë në një qeveri jofunksionale. As me opozitën nuk e përjashtojë që ulem”, ka thënë ai në një intervistë në “Debat Plus”.
Limaj tha se Kosova ka nevojë urgjente për një qeverisje stabile, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe rajonale.
Partneri i Limajt në koalicionin parazgjedhor, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e gozhdoi kryetarin e Nismës Socialdemokrate në një reagim në rrjetin social Facebook të premten.
“E keqja ka emër, Albin Kurti”, tha Haradinaj në një postim në rrjetet sociale./Paparaci