Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja s’ka pasur asnjë takim me asnjë parti politike pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos me partinë në pushtet. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV)”, ka thënë ai në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja s’do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pe kryeministrit. Sipas tij, LDK-ja nuk synon dhe s’punon për “qeveri afatshkurtër”.
“LDK-ja s’do të jetë pjesë e qeverisë pa pozicionin e kryeministrit. LDK-ja nuk synon për një qeveri afatshkurtre. LDK-ja s’beson se do të ketë stabilitet e s’do t’i përsërisim gabimet e futjes në qeveri për afate të shkurtra. Besojmë se i takon fituesit që t’i nisë afatet kushtetuese. Vendit i duhet stabilitet, qeveri e Kosovës dhe parlament. I pari duhet ta caktojë emrin”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka shtuar se i takon partisë fituese të zgjedhjeve që të nisë afatin për të caktuar emrin e mandatarit dhe kryetarin e Kuvendit.
“Presim veprimet e të parit. Pas këtyre veprimeve do ta keni edhe pozicionin e LDK-së”, ka shtuar ai.
Kreu i LDK-së ka shtuar se qëndrimet e dhëna para zgjedhjeve do të mbahen edhe më tutje.
Ka përfunduar pas pesë orëve takimi i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës të hënën, takim që u thirr për të diskutuar pozicionin e partisë pas zgjedhjeve parlamentare.
Partia që doli e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit diskutoi mbi rezultatin zgjedhor, performancën nëpër degë në Kosovë dhe në mërgatë si dhe pozicioni pas rezultatit final.
Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas takimit do të deklarohet për media./koha.net