Kryetari i degës së LDK në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka dalë me sqarim pasi prishën koalicionin me GUXO dhe kryetarin Faton Peci në Mitrovicë, shkruan Mitrovica SOT
Plakolli tha se LDK në Mitrovicë u ndje e detyruar të marrë këtë vendim pas mosrespektimit të marrëveshjes dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare nga ana e tyre.
Plakolli konfirmoi se prishja e koalicionit lidhet me emërimin e drejtorit të DKRS, emërim për të cilin tha se u bë duke mos respektuar dakordimet paraprake.
Postimi:
Deklaratë e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega Mitrovicë
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.
Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë.
Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Me shumë respekt,



