Profesori dhe analisti i njohur, Blerim Latifi, ka komentuar konfliktin Izrael-Iran dhe reagimet e shumta edhe në Kosovë në lidhje me ngjarjet e dy ditëve të fundit në Lindjen e Mesme.
Latifi tha se po sheh shumë reagime nga shqiptarë që po ia mbajnë krahun Iranit, përkundër faktit se regjimi islamik nuk e njeh Kosovën dhe ka qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë, si dhe ndaj Shqipërisë.
“Irani nuk e njeh pavarësinë tonë. Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë. Njësoj si Rusia, flet e vepron kundër Kosovës kudo ku ka mundësi. Dhe teksa po ndodhë lufta e tij me Izraelin, shoh shumë shqiptarë[ nëse ende mund t’i quajmë të tillë] duke mbajtur anën e Iranit”, tha Latifi në Facebook.
Ai tha se kjo vjen për shkak të helmit të antisemitizmit, që si duket ka depërtuar thellë edhe në shoqërinë tonë.
“Kjo është patologjia e antisemitizmit: ajo ta helmon shpirtin deri në atë shkallë, sa të shtyn të rreshtohesh edhe me armiqtë e vendit tënd”, tha më tej Latifi.
Në fund, ai tha se është rrezik që kjo mendësi do të çojë edhe në mirëpritjen e ndonjë sulmi eventual ndaj Kosovës.
“Qofshim me fat që të mos kemi më punë lufte me Serbinë, se po patëm një gjë është e sigurtë: ata që flasin shqip dhe do të dalin ta presin me lule ushtrinë serbe, do të jenë tmerrësisht të shumtë”, tha më në fund Latifi./gazetametro.net