Profesori dhe analisti i njohur, Blerim Latifi, ka pasur kritika dhe goditje ndaj nivelit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se demokracia po rrënohet.
Latifi tha se në Kosovë mundësitë për deputetët e Kosovës janë të mëdha dhe nuk nevojitet farë niveli i lartë intelektual a kulturor për të hyrë në Kuvend.
“Në Kosovën e ditëve tona mund të bëhesh deputet edhe nëse nuk ke as profesion, as nivel kulturor dhe bagazhin intelektual e ke zero. Asnjëra nga këto nuk ka rëndësi: rroga të del në fund të muajit. Mund të jesh deputet, të mos e hapësh kurrë gojën dhe prapëseprapë të marrësh rrogën rregullisht”, tha Latifi.
Por, Latifi paralajmëroi se demokracia në Kosovë është në rrezik të madh për shkak të rrënimit të procedurave dhe rrënimit të besimit në këtë sistem.
“Kur diskutonin për përparësitë dhe të metat e regjimeve politike, filozofët e hershëm paralajmëronin se demokracia nuk mund të funksionojë vetëm si respektim formal i procedurave ligjore në ushtrimin e pushtetit. Ajo kërkon domosdoshmërisht edhe një lloj kredoje, besimin e thellë në vlerat dhe synimet e saj. Kur ky mungon atëherë vjen një ditë dhe procedurat formale rrënohen si kulla prej letre”, shkroi profesori Latifi.
Komentet e tij vijnë në një kohë krize politike në Kosovë, ku seanca konstituive është bllokuar që fiks tre muaj dhe ku zgjidhja nuk duket kurrkund në horizont./gazetametro.net