Profesori universitar dhe analisti i njohur politik, Blerim Latifi, ka shkruar për histerinë virtuale të një pjese të shoqërisë kosovare, kryesisht të rinj, që përditë shfaqin mesazhe e postime për konfliktin në Gaza.
Sipas Latifit, pas disa bisedave që ka pasur me disa njerëz që shfaqen të mërzitur në rrjete sociale nga ajo që po ndodh në Gaza, këta janë kryesisht të rinj që s’kanë fort njohuri për ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, e lëre më në botë.
”I kam testuar personalisht në disa raste njerëz që derdhin lotë në Instagram e Facebook për viktimat në Gaza. I kam pyetur nëse mund të më tregojnë se kur ka ndodhur Masakra e Obrisë, Masakra e Mejës, Masakra e Vërbocit e të tjera, dhe sa shqiptarë janë vrarë në to. Asnjëri nuk ka ditur të më japë një përgjigje të saktë”, tha Latifi në postimin e tij.
Latifi tha se ky fakt tregon goxha shumë për këtë brez të rinjsh.
”Tregon faktin se kemi të bëjmë me një gjeneratë – kryesisht të rinj – për të cilën vuajtjet dhe dhimbjet e popullit të tyre nuk kanë asnjë vlerë. Një gjeneratë për të cilën varret e dëshmorëve dhe të masakruarve tanë, të para 26 viteve, janë thjesht memoriale të parëndësishme, të cilat as nuk e dijnë se ku janë. Sepse kurrë nuk i kanë vizituar”, tha më tej Latifi.
Pastaj, ai nënvizoi edhe disa karakteristika të përbashkëta që kanë këta të rinj, e që zakonisht bëjnë pjesë te aleanca famëkeqe mes islamizmit ekstremist, anti-semitizmit dhe të majtës ekstreme.
”Një gjeneratë që ndjeshmërinë për Gazën nuk e ka prej ndonjë bindjeje humaniste universale, por prej infektimit me antisemitizëm, me salafizëm dhe me lleftizëm të tipit sovjetik ose jugosllav. Sepse nuk mund të jetë ndryshe kur sheh se këta vajtues virtualë nuk shkruajnë kurrë asnjë fjalë për vuajtjet e kurdëve, të ujgurëve në Kinë apo të grave që masakrohen në burgjet e Iranit, vetëm pse kërkojnë të jenë të lira”, shkroi më tej profesori Latifi.
Në Kosovë, ashtu si në pjesën më të madhe të Europës dhe Amerikës, e majta anti-semite dhe islami ekstrem e kanë gjetur veten pas fillimit të konfliktit në Gaza më 7 tetor 2023. Tashmë është bërë normale që Izraeli të shihet si djalli vetë, ndërsa shpeshherë në këtë diskurs absolvohet tërësisht grupi terrorist Hamas, që për këta vajtues virtualë është grup i luftëtarëve të lirisë./gazetametro.net