Filozofi dhe analisti i njohur politik, Blerim Latifi, ka pasur komente të ashpra ndaj tendencës së një pjese të shqiptarëve në rrjete sociale për ta mbështetur Iranin e për ta sharë SHBA-në.
Sipas Latifit, kjo dukuri nuk është e re, meqë shumë shqiptarë edhe gjatë viteve 90′ nuk rreshtoheshin krah Amerikës.
“Në vitin 1990 kur Serbia na shtypte në mënyrë brutale dhe pothuajse askujt në botë nuk i bëhej vonë për këtë, ne i bënim thirrje Amerikës që ta na shpëtonte nga terrori serb. Por kur erdhi fillimi i vitit 1991 dhe Amerika sulmoi Irakun, për të larguar nga Kuvajti, shumë shqiptarë të Kosovës haptas filluan të bënin tifo për fitoren e Sadamit”, tha Latifi.
Po ashtu, ai pastaj përmendi edhe ndërhyrjen e SHBA-së në Kosovë që e shpëtoi popullin shqiptar nga spastrimi etnik dhe krimet mizore të forcave serbe.
Megjithatë, Latifi thotë se menjëherë pas kësaj, plot “shqiptarëzi” lëshuan mjekrat si ekstremistë islamistë dhe filluan ta pështyjnë Amerikën.
”Tetë vite më vonë Amerika na shpëtoi nga gjenocidi, por të nesërmen e kësaj shumë shqiptarë lëshuan mjekrrat vahabiste dhe shkuan në xhami për ta sha e pshty Amerikën”, tha më tej profesori universitar.
Më pas, Latifi thotë se këto tendenca të mbrapshta anti-amerikane po reflektohen edhe ditëve të fundit me fillimin e konfliktit Izrael-Iran.
”E njëjta poshtërsi dhe çoroditje morale po përsëritet edhe sot. Mjafton të endesh pak në rrjetet sociale për të pa sa shumë janë shqiptarzitë që shajnë e mallkojnë për llogari të Iranit, shtetit që nuk e njeh lirinë dhe pavarësinë tonë nga Serbia”, tha Latifi.
Në Kosovë dhe Shqipëri, si zakonisht, ka pasur vëmendje të madhe për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe një breshëri komentesh e postimesh, ku një pjesë e madhe hedh vrer mbi shtetin e Izraelit, që e njeh dhe ka marrëdhënie të mira me Kosovën./gazetametro.net