Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pikat kufitare në Merdarë e Bërnjak janë hapur për qarkullim.
Svçla tha se hapja e tyre është bërë pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, ka shkruar Sveçla.
Përfaqësues nga disa shoqata serbe i bllokuan të premten rrugët dhe i kthyen mbrapsht vetëm udhëtarët me dokumente kosovare në pjesën serbe pranë pikave kufitare me Kosovën, në shenjë proteste kundër veprimeve të fundit të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.



