Emisari i Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, është deklaruar pas takimit me Besnik Bislimin në Qeveri, ka thënë se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet, mirëpo në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët, shkruan Gazeta Metro.
Ai tha se fokus i takimit ka qenë caktimi i takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo nuk dha datë për një gjë të tillë.
Lajcak e kualifikoi si urgjente zhbllokimin e impelementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i mirënjohur por duhet ta përsërisë, që duhet të hapet ura por që hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar të Kosovës dhe këtë e diskutuam”, ka thënë Lajcak.
Sa i përket lajmërimit për bllokimin e kufijve të Kosovës Lajçak ka thënë se nuk ka kurrfarë lloj arsye për bllokime të kufijve dhe se duhet të ketë liri të lëvizjes.
Kurse sa i përket tërheqjes së Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ai theksoi se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe se është duke u punuar në implementim.
Sipas tij, asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. “Jemi duke diskutuar edhe me Kosovën edhe me Serbinë se si të përshpejtojmë zbatimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar Lajcak. /gazetametro.net



