Java e ardhshme në Kosovë do të dominohet nga moti i vranët, i shoqëruar herë pas here me reshje shiu dhe bore.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se vranësirat do të jenë prezente gjatë gjithë javës, ndërsa në disa zona priten edhe riga shiu si dhe fjolla bore.
Sipas parashikimeve, temperaturat minimale dhe maksimale do të mbeten mbi zero deri të mërkurën, me përjashtim të zonave malore ku mund të shfaqen ngrica të lehta. Nga dita e enjte pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të zbresin nën 0 gradë Celsius.
Parashikimi i motit nga IHMK për periudhën 05–09 janar 2026:
E hënë: Mot kryesisht i vranët me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 7 deri në 10°C. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1–6 m/s.
E martë: Mot i vranët dhe reshje shiu. Temperaturat minimale 2–4°C, ndërsa maksimalet 5–8°C. Era nga juglindja me shpejtësi 1–6 m/s.
E mërkurë: Kryesisht vranët, me riga shiu vende-vende. Temperaturat minimale 1–3°C, maksimalet 4–6°C. Era nga juglindja me intensitet 1–8 m/s.
E enjte: Mot i vranët me mundësi për reshje bore. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -2°C, ndërsa maksimalet nga -1 deri në 1°C. Era nga juglindja, 1–7 m/s.
E premte: Mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale -8 deri -5°C, maksimalet -2 deri në 2°C. Era e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht pjesëmarrësve në trafik, për shkak të ngricave që pritet të jenë më të theksuara në fundjavë.


